Informacion per proceduren e regjistrimit te pronarit perfitues per OJF dhe shoqeri tregtare

Informacion ligjor lidhur me Regjistrimin e Pronarit Përfitues

 

  • Kuptimi i Pronarit Përfitues

Nëpërmjet miratimit të ligjit “Për pronarin përfitues” është bërë i detyrueshëm deklarimi i pronarëve përfitues për të gjitha shoqëritë tregtare dhe organizatat jofitimprurëse në Republikën e Shqipërisë. 

Pronar përfitues, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin dhe/ose individi në emër të të cilit po kryhet një transaksion ose veprimtari dhe përfshin të paktën:

– Individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të një përqindje të mjaftueshme të aksioneve ose të drejtave të votimit ose të pjesëmarrjen në kapitalin e atij entiteti, përfshirë përmes mbajtjes së aksioneve, ose përmes kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera, ose përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridic në emër të tij

– Themeluesi ose përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse. Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia në të cilën një person:

  1. a) përcakton vendimet e marra nga organizata jofitimprurëse;
  2. b) kontrollon në çdolloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të organizatës jofitimprurëse.

– Në rastin e një trusti ose marrëveshjeve të tjera ligjore, krijuesi i trust-it, kujdestari/i mirëbesuari, mbrojtësi, nëse ka, dhe përfituesit ose kur personat që përfitojnë nga marrëveshja ligjore ose entiteti ende nuk janë përcaktuar, klasa e personave për interesin kryesor të të cilëve marrëveshja ligjore ose entiteti është krijuar ose operon; çdo individ tjetër që ushtron kontrollin e fundit mbi trustin me anë të pronësisë direkte ose indirekte ose me mjete të tjera.”

Konsiderohen pronarë përfitues, individët të cilën kanë në pronësi, ose kontrollojnë të fundit subjektin. Pronësia mund të jetë direkte ose indirekte.

Pronësi direkte është pronësia e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

Pronësi indirekte është pronësia e mbajtur ose kontroll i ushtruar nga i njëjti individ në një ose më shumë persona juridikë, të cilët veçmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

 

  • Regjistri i Pronarëve Përfitues

Regjistri i Pronarëve Përfitues është një bazë të dhënash elektronike shtetërore, në të cilin regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre. Ky regjistër është publik, i hapur dhe i aksesueshëm për të gjithë, me përjashtim e disa të dhënave personale. 

Regjistri i Pronarëve Përfitues do të administrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

 

  • Përmbajtja e Regjistrit

Regjistri i pronarëve përfitues do të përmbajë të dhënat e mëposhtme për të gjithë personat të cilët gëzojnë statusin e pronarit përfitues për atë subjekt: 

  1. Të dhënat e identifikimit për shtetasit shqiptarë: 

– emri dhe mbiemri; 

– numri i identifikimit personal; 

– datëlindja; 

– shtetësia; 

– adresa e rezidencës së përhershme; 

  1. Të dhënat e identifikimit për shtetasit e huaj:

– emri dhe mbiemri; 

– numri i identifikimit personal; 

– datëlindja; 

– numri i pasaportës dhe shteti lëshues; 

– data e lëshimit dhe data e skadimit të pasaportës; 

– shtetësia; 

– adresa e rezidencës së përhershme;

  1. Data e përcaktimit të individit si pronar përfitues. 
  2. Lloji dhe përqindja e pronësisë: 
    1. Direkte; 
    2. Indirekte.

 

  • Procedura e regjistrimit 
  1. Personi i autorizuar duhet të identifikohet elektronikisht nëpërmjet e-albania. 
  2. Pasi është autentifikuar, akseson sportelin elektronik dhe zgjedh llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet. 
  3. Pas përzgjedhjes së llojit të regjistrimit, sistemi i informatizuar shfaq formularin përkatës të aplikimit, sipas formatit të miratuar, dhe hap dosjen elektronike, e cila mban numrin përkatës. 
  4. Pas shfaqjes së formularit dhe hapjes së dosjes elektronike, plotësohet elektronikisht formulari, në të gjitha rubrikat e tij, sipas llojit të regjistrimit që kërkohet të kryhet.
  5. Ngarkon dokumentet shoqëruese, që provojnë të dhënat që regjistrohen, të krijuara apo të konvertuara prej tij në format elektronik. 
  6. Pasi personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues verifikon se të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentet shoqëruese, të ngarkuara në dosjen elektronike janë të sakta, i konfirmon ato nëpërmjet nënshkrimit elektronik të avancuar të formularit të aplikimit.
  7. Nënshkrimi elektronik mund të blihet drejtpërdrejtë nga e-albania. Për një përdorim deri në 7 ditë është pa pagesë, për  një përdorim një vjeçar është me pagesë 4,800 lekë (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13521). 
  8. Sistemi njofton personin e autorizuar në postën elektronike të deklaruar pranë portalit e-albania, duke i dërguar kopje elektronike të formularit të aplikimit të plotësuar dhe të konfirmimit të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik. 
  9. QKB merr në shqyrtim dhe merr një vendim për aplikimin brenda dy ditësh nga momenti i aplikimit. 

 

  • Dokumentacioni 
  • Dokument shoqërues janë aktet në bazë të së cilave identifikohen dhe regjistrohen pronarët përfitues të subjektit raportues dhe lloji i kontrollit të pronësisë, ku përfshihen: 
  1. Dokumentacioni që vërteton numrin unik të identifikimit dhe emrin e subjektit raportues, ekstrakti;
  2. Dokumentacionin që vërteton të dhënat e identifikimit të pronarit përfitues;
  3. Dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i jo më pak se 25% aksioneve/kuotave të kapitalit ose pjesëmmarrje në vendimmarrje; 
  4. Çdo dokumentacion tjetër që përmban informacionin e nevojshëm për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues;

(ekstrakti i personit juridik që zotërohet nga individi i regjistruar dhe rezulton ortak/aksion në subjektin tuaj (pronësia indirekte); statuti/aktet e brendshme të shoqërisë; kontrata apo cdo dokument tjetër që vërteton se, individi i regjistruar është pronari përfitues i subjektit tuaj, sipas pronësisë direkte apo indirekte.)

  • Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe;
  • Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

 

  • Afati i regjistrimit
  1. 60 ditë nga momenti i krijimit të regjistrit për subjektet ekzistuese;
  2. brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese, në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues; 
  3. brenda 30 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik, në rastin e regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese.

 

  • Sanksionet Administrative
  1. Mospërmbushja e detyrimit të subjekteve raportuese ekzistuese për regjistrimin e të dhënave të kërkuara nga ky ligj brenda 60 ditëve nga momenti i krijimit të regjistrit për subjektet ekzistuese, dënohet me gjobë në vlerën 250,000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
  2. Mos-regjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij për subjektet që regjistrohen rishtazi, dënohet me gjobë në vlerën 500,000 lekë;
  3. Mos-regjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistër, brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 250,000 lekë.

 

  • Ruajtja e dokumentacionit

Subjektet raportuese kanë detyrimin të ruajnë dhe të mbajnë të dhëna dhe dokumente shoqëruese të duhura, të sakta e të përditësuara, në bazë të të cilave përcaktohen pronarët përfitues të subjektit dhe lloji i kontrollit të pronarëve të tyre përfitues.