Personat të cilët kanë pësuar humbje njerëzore, në banesat apo pronat e tyre, kanë të drejtë të përfitojnë vetëm në një prej programeve të procesit të rindërtimit.
- Familjet, që kanë humbur banesat si pasojë e shembjeve të ndërtesave (pallateve), përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja, nga programi i rindërtimit të godinave në të njëjtin truall, ose programi i fondit të banesave.
- Familjet në qytet, që kanë humbur shtëpitë individuale si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja, programi i granteve të rindërtimit, ose programi i fondit të banesave.
- Sipërfaqja e banesës që i kalohet në pronësi përfituesve, në ndërtesat e realizuara në kuadër të programit të zhvillimit të zonave të reja ose në banesat e programit të fondit të banesave, llogaritet sipas tabelës A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për truallin e shtëpisë individuale, përveç rastit kur për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit, prona truall shpronësohet ose kompensohet.
- Kur zona e re për zhvillim do të realizohet me shtëpi banimi individuale, familjet përfitojnë në pronësi shtëpi individuale banimi me sipërfaqe ndërtimi që llogariten sipas tabelës B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Në këto raste, përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për sipërfaqen e truallit, që rezulton si diferencë e truallit të shtëpisë individuale të shembur me truallin e shtëpisë individuale banimi të re që përfitojnë, nëse ka, përveç rastit kur, për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit, kjo sipërfaqe trualli shpronësohet ose kompensohet.
- Përfituesi do të heqë dorë nga e drejta e pronësisë në favor të shtetit prej sipërfaqes së truallit të shtëpisë individuale të shembur, e barabartë me truallin e shtëpisë së re individuale.
- Familjet në fshat, që kanë humbur shtëpitë individuale jashtë ose brenda zonës së urbanizuar të territorit rural, si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit në të njëjtën mënyrë si familjet në qytet.
- Familjet që kanë dëmtime në banesa ose shtëpi individuale nga fatkeqësia natyrore, të cilat nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para, trajtohen me grante rikonstruksioni.
- Shoqëritë tregtare, të vogla e të mesme, vendet e kryerjes së aktivitetit të të cilave janë dëmtuar dhe/ose zhvendosur për shkak të fatkeqësisë natyrore, vërtetuar me dokumente zyrtare, me qëllim rikonstruksionin e shpejtë ose sigurimin e mjediseve të përshtatshme për kryerjen e veprimtarisë nga punëmarrësit përfitojnë mbështetje ekonomike.
Tabela A
Përbërja familjare
|
Struktura e apartamentit
|
Sipërfaqja në metër
katrorë (m2)
|
Deri në 2 anëtarë
|
1+1
|
45 m2 deri në 60 m2
|
2 deri në 4 anëtarë
|
2+1
|
75 m2 deri në 80 m2
|
5 e më shumë anëtarë
|
3+1
|
90 m2 deri në 100 m2
|
Tabela B
Përbërja familjare
|
Sipërfaqja në metër
katrorë (m2)
|
Deri në 2 anëtarë
|
60 m2 deri në 70 m2
|
2 deri në 4 anëtarë
|
70 m2 deri në 80 m2
|
5 e më shumë anëtarë
|
Jo më pak se 90 m2
|