BANORËT E LAKNASIT MUNDIN “THERTOREN”

Kolegji i Gjykatës së Lartë vendos të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë e cila pezullon ndërtimin e thertores në zonën e quajtur “Plepat e Brukës” në Laknas Kamëz.

Klinikat Ligjore OSFA sëbashku me Klinikën e Ligjit Durrës dhe Qendrën Kujri në Kamëz prej dy vitesh kanë përfaqësuar banorët e Laknasit në betejën e tyre gjyqësore që kundërshtonte zhvillimin e aktivitetit të thertores në zonën pyjore të ndërtuar me mund e vullnetarizën prej vetë tyre.

ÇFARË THOTË VENDIMI I KOLEGJIT TË GJYJATËS SË LARTË?

“Referuar mosmarrëveshjes objekt gjykimi, lidhur me kushtet e parashikuara nga neni 29 shkronja a) të ligjit nr. 49/2012, Kolegji çmon se mundësia e ardhjes së një dëmi të rëndë, të atëçastshëm dhe gati të pakthyeshëm për interesat që mbron pala paditëse është evidente, pasi materializimi i të gjithë akteve objekt gjykimi, ka ndikim të drejtpërdrejtë, duke rrezikuar dëmtim të pyjeve dhe mjedisit në përgjithësi.”

“Kolegji vlerëson se Gjykata Administrative e Apelit duhet analizonte prevalencën e një interesi më madhor publik, atë të mbrojtjes së mjedisit, natyrës dhe biodiverisitetit duke mos analizuar vetëm përfitimet në aspektin ekonomiko-shoqëror të zonës. Në këtë drejtim Kolegji bashkohet me analizën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë e cila me të drejtë ka vlerësuar se materializimi i lejes zhvillimore do të sillte pasoja të pariparueshme për të ardhmen ose vështirësish të korrigjueshme.

Në këtë drejtim Kolegji çmon se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se dëmi i komunitetin eventualisht do jetë i pakthyeshëm dhe i atëçastshëm”.

“Kolegji thekson se mjedisi është koncept ndërterritorial, i cili i kalon kufijtë e një vendi”

“Mbroja e mjedisit përbën një kusht themelor për sigurimin e zhvillimit të shoqërisë dhe është prioritet kombëtar me qëllim trashëgimin e saj të padëmtuar ndër breza. Ndërhyrjet e kësaj natyre në mjedis, në eventualitetin e pranimit të padisë, janë pothuajse të pamundura ose shumë të vështira dhe të kushtueshme që të kompensohen dhe riparohen me veprime dhe projekte të tjera”.

#KlinikatLigjoreOSFA #KlinikaLigjitDurrës #QendraKujri #Laknas #Thertore #FitojnëBanorët #GjykataLartë